Socializëm tregu
October 18, 2026 2026-10-18 8:11Doktrinë sipas së cilës pronësia shoqërore mbi kapitalin mund të bashkëjetojë me tregun dhe socializmi mund të realizohet pa një aparat të madh planifikimi shtetëror. Kapitali mund të jetë pronë e kooperativave ose, në disa variante, e shtetit, ndërsa vendimet për prodhimin dhe shkëmbimin orientohen nga çmimet, konkurrenca dhe marrëdhëniet e tregut. Kështu, pronësia mbi mjetet e prodhimit dallohet nga mekanizmi me të cilin bashkërendohen veprimtaritë ekonomike.
Socializmi i tregut ndërthuret me demokracinë industriale, sepse pronësia kooperative krijon pyetje të vështira për vendimmarrjen. Kush vendos për përdorimin, investimin ose shitjen e kapitalit të përbashkët? A duhet të ketë çdo anëtar një votë, apo pesha e votës duhet të jetë në përpjesëtim me kapitalin që ka kontribuar? Përgjigjet përcaktojnë marrëdhënien ndërmjet barazisë së anëtarëve dhe shpërndarjes së kontrollit ekonomik.
Në veprën «Anarkia, shteti dhe utopia», Robert Nozick-u argumentonte se numri relativisht i vogël i kooperativave prodhuese tregonte se njerëzit kishin zgjedhur lirisht të jetonin nën kapitalizëm. Socialistë të tregut, si David Miller-i, e kanë kundërshtuar këtë përfundim. Sipas tyre, ekonomia kapitaliste përmban pengesa strukturore ndaj ndërmarrjeve të organizuara sipas parimeve socialiste të tregut; prandaj rrallësia e tyre nuk mund të merret automatikisht si shprehje e një zgjedhjeje të lirë ndërmjet alternativash me mundësi të barabarta.