Shkencë politike

Disiplinë që studion shtetin, qeverisjen dhe politikën. Ideja se studimi i politikës duhet të jetë shkencor ka shkaktuar polemika prej shekujsh. Në themel të tyre qëndron pyetja se çfarë lloj dijeje mund të kemi për politikën, por përmbajtja e debatit ka ndryshuar shumë. Kur David Hume-i botoi më 1741 esenë se politika mund të shndërrohet në shkencë, shqetësimi i tij ndryshonte nga ai i autorëve të shekullit të njëzetë. Megjithëse kërkonte deri diku të ndiqte modelin e fizikës njutoniane, synimi kryesor ishte të tregonte se disa kushtetuta funksionojnë sistematikisht më mirë se të tjerat dhe se politika nuk është vetëm çështje personalitetesh. Ai kundërshtonte, ndër të tjera, pohimin e Alexander Pope-it në Ese për njeriun se debatet për format e qeverisjes duhen lënë për të marrët dhe se më e mira është cilado formë që administrohet më mirë.

Gjatë shekullit të njëzetë, debati u bë pjesë e një polemike më të gjerë mbi metodologjinë e studimeve shoqërore. Përkrahësit e shkencorizimit të politikës kërkonin një disiplinë që përmbushte dy kushte: të ishte objektive ose e pavarur nga gjykimet vlerore dhe të ofronte shpjegime tërësore e sistematike të ngjarjeve. Një nga kandidatët kryesorë për metodologjinë e saj ishte bihevioralizmi, i ndikuar nga modeli stimul–përgjigje i psikologjisë së sjelljes. Ai synonte të përcaktonte lidhje të rregullta ndërmjet dukurive hyrëse, qofshin politike apo jopolitike, dhe rezultateve politike. Me zbehjen e mbizotërimit të bihevioralizmit pas vitit 1970, u forcua teoria e zgjedhjes racionale. Duke ndjekur ekonominë, ajo merrte si premisa racionalitetin dhe ndjekjen e interesit vetjak nga individët.

Kritikët e idesë së shkencës politike shpesh mbështeten në veçantinë e shkencave natyrore. Në një interpretim të filozofisë së Kantit, shkenca mbështetet në pohimin sintetik apriori se çdo ngjarje ka një shkak. Ideja që gjithësia është e rregullt, sistematike dhe e qeverisur nga ligje nuk rrjedh vetëm nga logjika ose vëzhgimi. Ajo është ajo që filozofi Peter Strawson e quante parakusht të ligjërimit: për të studiuar fizikën në mënyrë racionale, duhet paraprakisht të pranohet se gjithësia u nënshtrohet ligjeve.

Sipas një leximi të rreptë të kësaj pikëpamjeje, ekziston vetëm një shkencë themelore, fizika. Ligjet e saj zbatohen si mbi qeniet njerëzore, për aq sa janë qenie fizike, ashtu edhe mbi asteroidet. Biologjia, kimia dhe inxhinieria mund të kuptohen si fusha të lidhura me të dhe, në parim, të reduktueshme në përbërësit themelorë të gjithësisë. Kritikët argumentojnë se studimet shoqërore janë ndryshe dhe se ngushtohen e bëhen të pafrytshme kur imitojnë pa dallim metodat dhe premisat e shkencave natyrore. Të kuptuarit e njerëzve kërkon njohjen e veçantisë së individit dhe të lirisë së vullnetit. Ai mbështetet edhe në aftësinë për t'i parë ngjarjet nga këndvështrimi i personave që veprojnë, pra në të kuptuarit interpretues që Max Weber-i e quante verstehen. Në këtë argumentim, ndarja vendimtare është ajo ndërmjet shkencave natyrore dhe disiplinave humane; politika i përket të dytave.

Kjo kundërvënie e prerë është kundërshtuar nga disa anë. Së pari, mund t'i ngarkojë fjalës shkencë një kuptim filozofik tepër të ngushtë, kur prejardhja e saj lidhet thjesht me dijen. Fjalët përkatëse në gjermanisht, italisht dhe frëngjisht përdoren edhe në kuptime më të gjera dhe nuk mbartin domosdoshmërisht kufizimet që i janë lidhur fjalës angleze. Së dyti, disa filozofë vënë në dyshim vetë përfytyrimin e shkencës natyrore si veprimtari plotësisht të shkëputur nga shoqëria. Të ndikuar veçanërisht nga Struktura e revolucioneve shkencore e Thomas Kuhn-it, e botuar më 1962, ata argumentojnë se shkenca formësohet edhe nga shoqëritë në të cilat zhvillohet dhe jo vetëm nga kërkesat abstrakte të ligjërimit shkencor. Nga ky këndvështrim, fizika reale ka më shumë ngjashmëri me politikën sesa me idealin e rreptë kantian të fizikës; rrjedhimisht, nuk mund t'i mohohet politikës statusi shkencor vetëm duke e krahasuar me atë ideal.

Select the fields to be shown. Others will be hidden. Drag and drop to rearrange the order.
  • Image
  • SKU
  • Rating
  • Price
  • Stock
  • Availability
  • Add to cart
  • Description
  • Content
  • Weight
  • Dimensions
  • Additional information
Click outside to hide the comparison bar
Compare