Monetarizëm

Doktrinë ekonomike që i jep rol qendror sasisë së parasë dhe ritmit të rritjes së saj në përcaktimin e nivelit të përgjithshëm të çmimeve, sidomos në periudhën afatgjatë. Monetarizmi zakonisht shoqërohet me mbështetjen e tregut të lirë dhe me kufizimin e ndërhyrjes shtetërore në ekonomi, ndonëse teoria monetare dhe programi më i gjerë politik nuk janë e njëjta gjë.

Termi u përdor nga Karl Brunner-i më 1968, ndërsa pararendësit gjenden në teorinë sasiore të parasë, të zhvilluar nga mendimtarë klasikë si John Locke-u dhe David Hume-i. Milton Friedman-i, duke filluar nga vitet 1950, e ringjalli këtë teori. Ai dhe ekonomistë të lidhur me Shkollën e Çikagos argumentonin se kontrolli i qëndrueshëm i inflacionit kërkonte kufizimin e rritjes së ofertës monetare.

Në vitet 1970, bashkëjetesa e inflacionit të lartë me papunësinë i dha mbështetje politike monetarizmit, sepse vuri në pikëpyetje efektshmërinë e administrimit keynesian të kërkesës. Në Britani, qeveria laburiste e vendosi kontrollin e ofertës monetare ndër objektivat e saj ekonomike që nga viti 1976. Qeveria konservatore e Margaret Thatcher-it, e ardhur në pushtet më 1979, e vazhdoi këtë orientim dhe e shoqëroi me një program të theksuar në favor të tregut të lirë.

Nga mesi i viteve 1980, ndjekja e rreptë e objektivave për agregatet monetare në Britani ishte zbutur ose braktisur në masë të madhe. Kjo nuk solli heqjen dorë nga përparësia e luftës kundër inflacionit ose nga mbështetja e tregut të lirë, të cilat vazhduan të zinin vend të rëndësishëm në retorikën konservatore të periudhës. Duhet dalluar, pra, një teknikë e caktuar e kontrollit monetar nga orientimi më i gjerë ideologjik me të cilin ajo u lidh.

Select the fields to be shown. Others will be hidden. Drag and drop to rearrange the order.
  • Image
  • SKU
  • Rating
  • Price
  • Stock
  • Availability
  • Add to cart
  • Description
  • Content
  • Weight
  • Dimensions
  • Additional information
Click outside to hide the comparison bar
Compare