Korporatizëm

Sistem ndërmjetësimi të interesave që lidh interesat e prodhuesve me shtetin. Organizata interesash të njohura shprehimisht përfshihen në hartimin e politikave, si në negocimin e tyre, ashtu edhe në sigurimin që anëtarët e këtyre organizatave të zbatojnë marrëveshjet e arritura. Megjithatë, debati në shkencat shoqërore që u zhvillua nga mesi i viteve 1970 nuk arriti një përkufizim të pranuar përgjithësisht. Pjesëmarrësit pajtoheshin se po studionin marrëdhëniet ndërmjet interesave të organizuara dhe shtetit. Kishte gjithashtu njëfarë pajtimi se vëmendja duhej përqendruar te interesat që lindin nga ndarja shoqërore e punës, veçanërisht te përpjekjet për pajtimin e konflikteve ndërmjet kapitalit dhe punës. Disa analistë kërkonin që marrëveshjet korporatiste të ishin trepalëshe, duke përfshirë shtetin, punëdhënësit e organizuar dhe punëtorët e organizuar. Të tjerë pranonin marrëveshje dypalëshe ndërmjet shtetit dhe njërit prej partnerëve socialë, ose ndërmjet vetë partnerëve socialë.

Ekzistonte një dallim i pranuar deri diku ndërmjet grupeve konvencionale të presionit, të cilat parashtrojnë kërkesa për përmbajtjen e politikave publike, dhe korporatizmit, që ndërthur përfaqësimin me kontrollin. Në këmbim të pjesëmarrjes në formulimin e politikave, grupet korporatiste pritet të ndihmojnë në zbatimin e tyre. Disa studiues, përfshirë A. Cawson-in, e shihnin këtë ndërmjetësim si thelbin e korporatizmit. Të tjerë dyshonin se ai ishte tipar vetëm i korporatizmit dhe, rrjedhimisht, se mund të shërbente si shenjë e tij dalluese.

Megjithëse debati bashkëkohor filloi në mesin e viteve 1970, ideja ka histori të gjatë. Esnafet dhe korporatat ishin institucione të rëndësishme të jetës mesjetare, por tërhoqën pak vëmendje nga teoricienët politikë. Shqyrtimi i vetëdijshëm i marrëveshjeve korporatiste si modele të dëshirueshme organizimi filloi në çerekun e fundit të shekullit XIX. Në enciklikën Rerum Novarum, botuar më 1891 dhe të njohur edhe me titullin «Gjendja e klasave punëtore», papa Leoni XIII trajtoi varfërinë e punëtorëve, zhvillimin e sindikatave dhe frymën e përhapur të ndryshimeve revolucionare. Ai argumentonte se konflikti klasor nuk ishte i pashmangshëm, sepse kapitali dhe puna vareshin në mënyrë të ndërsjellë nga njëri-tjetri.

Duke vënë në dukje shtimin e veprimtarisë shoqëruese, Leoni XIII propozonte që çështje si kushtet e punës, shëndeti dhe siguria të trajtoheshin nga organizata ose këshilla të krijuar posaçërisht, ndërsa shteti të njihte dhe të mbronte marrëveshjet e tyre. Synimi ishte të shmangej ndërhyrja e tepruar e drejtpërdrejtë e shtetit. Kufizimi i kësaj ndërhyrjeje dhe gjetja e formave alternative të veprimit të organizuar, të miratuara nga shteti, kanë mbetur tema qendrore të debatit korporatist. Edhe lidhja e korporatizmit me teorinë sociale katolike ka mbetur e fortë.

Pas Luftës së Parë Botërore, ideja u përvetësua nga e djathta radikale, veçanërisht nga Mussolini, i cili e vendosi në qendër të regjimit fashist italian. Si pasojë, korporatizmi u komprometua nga kjo lidhje, u trajtua shpesh si sinonim i fashizmit dhe u zhduk nga pjesa më e madhe e diskutimit politik, megjithëse mbijetoi në Spanjë dhe sidomos në Portugali.

Megjithatë ekzistonte edhe një variant liberal, qartësisht i dallueshëm nga mbetjet e korporatizmit autoritar. Samuel Beer-i përdori termin në veprën Politika moderne britanike, më 1965, duke parashikuar zhvillimin e mëtejshëm të tij. Po atë vit, Andrew Shonfield-i botoi Kapitalizmi modern, një nga veprat me ndikim të madh mbi ekonominë politike të mesit të shekullit. Ai e diskutoi konceptin si administrim korporatist të planifikimit ekonomik: grupet kryesore të interesit mblidheshin për të arritur marrëveshje mbi sjelljen e tyre të ardhshme.

Në treguesin e librit të Shonfield-it, zëri për korporatizmin e drejtonte lexuesin edhe te fashizmi. Një brez i ri autorësh neokorporatistë, i udhëhequr nga Philippe Schmitter-i, synoi ta çlironte konceptin nga kjo lidhje dhe ta ripërcaktonte si mjet për analizimin e ndryshimeve të dukshme në demokracitë perëndimore. Këto ndryshime ishin veçanërisht të theksuara në vende të vogla e të begata, si Austria dhe Suedia. Më 1974, Schmitter-i botoi artikullin Ende shekulli i korporatizmit? Titulli i referohej parashikimit të Mihail Manoilesco-s, më 1934, se shekulli XX do të ishte shekulli i korporatizmit, ashtu si shekulli XIX kishte qenë ai i liberalizmit. Schmitter-i kërkonte të kapërcente mbizotërimin, sipas tij të padobishëm, të analizës pluraliste në shkencën politike amerikane. Puna e tij mbi korporatizmin ishte ndikuar ndjeshëm edhe nga studimet e mëparshme në Brazil.

Artikulli i Schmitter-it nxiti një zgjerim të madh të kërkimit akademik. Koncepti ndihmonte në kuptimin e dukurive afatgjata, si paktet sociale në Suedi e Zvicër dhe Komisioni i Paritetit në Austri. Tërheqja e tij ishte më e gjerë sesa shpjegimi i politikës së demokracive të vogla e të begata europiane. Në këto vende mbetej e vështirë të përcaktohej nëse korporatizmi nxiste mirëqenien apo mirëqenia e bënte të mundur korporatizmin, sepse secila palë mund të largohej nga tryeza e bisedimeve me një përfitim.

Neokorporatizmi modern mund të kuptohet edhe në kuadrin e krizës së neokeynesianizmit. Pas Luftës së Dytë Botërore, qeveritë perëndimore u përpoqën të ruanin punësimin e plotë përmes administrimit të kërkesës agregate. Kjo shoqërohej me trysni inflacioniste, të cilat u përkeqësuan ndjeshëm pas goditjes së parë të naftës, më 1973. Qeveritë iu drejtuan gjithnjë e më shumë politikave të të ardhurave për të kufizuar inflacionin duke vazhduar njëkohësisht administrimin e kërkesës. Këto politika synonin veçanërisht kontrollimin e ritmit të rritjes së pagave dhe të çmimeve; nuk nënkuptonin thjesht shtimin e të ardhurave.

Kjo qasje i çonte qeveritë drejt marrëveshjeve me grupet e mëdha të prodhuesve, edhe në vende si Britania, ku ekzistonte parapëlqim për zgjidhje liberale të problemeve ekonomike. Sindikatave u ofroheshin shpesh lëshime në legjislacionin e punësimit, tatime dhe përfitime sociale, në këmbim të bashkëpunimit për kufizimin e rritjes së pagave. Edhe punëdhënësit e organizuar përfshiheshin në bisedime: ndihma e tyre mund të kërkohej për frenimin e çmimeve dhe prania e tyre shërbente si kundërpeshë ndaj sindikatave. Një studim i Helander-it mbi Finlandën ilustron lidhjen ndërmjet politikës së të ardhurave dhe korporatizmit. Zhvillimi i kësaj politike kërkoi institucione të reja dhe ndryshime në funksionet e atyre ekzistuese, duke krijuar një sistem politik me dy nivele: nënsistemin parlamentar dhe atë korporatist.

Pavarësisht vëllimit të madh të kërkimeve, debati është kritikuar për disa mangësi. Së pari, mungonte marrëveshja për objektin dhe kuptimin e saktë të konceptit. Së dyti, megjithëse korporatizmi pretendonte se dallohej nga pluralizmi, ai ndante shumë prej supozimeve të këtij të fundit; kundërshtarët mund ta paraqisnin si një nëntip të pluralizmit. Së treti, debati u zgjerua pikërisht kur dukuritë e studiuara po humbnin peshë në procesin politik. Në vitet 1980, teksa partitë socialdemokrate humbnin pushtetin në një numër vendesh europiane, zgjidhjet liberale të politikës ekonomike fituan terren. Vëmendja u zhvendos edhe nga politika e prodhimit drejt konsumit kolektiv, ndërsa çështjet mjedisore fituan rëndësi. Këto çështje i përshtaten më pak zgjidhjeve korporatiste; prandaj u vu në dyshim dobia e një koncepti modernist si korporatizmi për forma politike të përshkruara si pasmoderniste.

Së katërti, analiza nuk ndahej gjithnjë qartë nga rekomandimi normativ. Shumë autorë, ndonëse jo të gjithë, mbështesnin hapur, si C. Crouch-i, ose në mënyrë të tërthortë, përdorimin e korporatizmit si një rrugë të mesme: ai do të përmbushte aspiratat e ligjshme të punëtorëve të organizuar, duke ruajtur mënyrën kapitaliste të prodhimit. Mbrojtësit theksonin efektshmërinë e tij për rritje të lartë ekonomike, inflacion të ulët dhe papunësi të ulët. Megjithatë pranoheshin edhe pasoja të mundshme të padëshirueshme politike. Legjitimiteti i tij si mënyrë qeverisjeje vihej në dyshim, sepse i jepte përparësi përfaqësimit funksional të grupeve ndaj përfaqësimit territorial të qytetarëve. Ai prirej të anashkalonte legjislaturat përmes organeve të pazgjedhura, si këshillat ekonomikë, dhe përfshinte disa interesa duke përjashtuar të tjera, për shembull bizneset e vogla dhe konsumatorët.

Së pesti, gjatë viteve 1980 kërkimi u përqendrua gjithnjë e më tepër te korporatizmi sektorial, ose mesokorporatizmi, sesa te niveli makro. U gjetën shumë shembuj në fusha të veçanta, si politikat e formimit profesional dhe sektorë të ndryshëm të politikës bujqësore. Por pikërisht ky përqendrim e zvogëloi fuqinë shpjeguese të korporatizmit si model i sistemit politik në tërësi.

Schmitter-i dallonte qartë korporatizmin shoqëror, të ilustruar nga Suedia, Zvicra dhe Holanda, nga korporatizmi shtetëror, i ilustruar nga Spanja, Portugalia, Meksika, Italia fashiste dhe Franca e Pétain-it. Shumica e debatit të mëvonshëm u përqendrua te varianti shoqëror ose liberal. Megjithatë, analiza e Coleman-it për Kebekun tregoi se edhe koncepti i korporatizmit shtetëror mund të përdorej për një demokraci liberale. Shpërbërja e regjimeve komuniste në Europën Lindore dhe në ish-Bashkimin Sovjetik, e shoqëruar me mbijetesën e shumë strukturave të vjetra ekonomike e burokratike, veçanërisht në Rusi, i dha këtij koncepti mundësi të reja përdorimi analitik.

Koncepti është zbatuar edhe për Bashkësinë Europiane, të ndikuar nga tradita katolike e partneritetit social. Këtë e ilustronin bisedimet e Val Duchesse-s, të nisura më 1985 ndërmjet Bashkësisë, punëdhënësve dhe punëtorëve. Protokolli i politikës sociale i Traktatit të Maastricht-it parashikonte konsultim me punëdhënësit dhe punëtorët, si edhe marrëveshje për zbatimin e përbashkët të direktivave prej tyre. Këto ishin rregullime qartësisht korporatiste. Megjithatë, nëse Bashkësia do të kishte ndjekur përgjithësisht një rrugë korporatiste, Komiteti Ekonomik dhe Social do të ishte bërë institucion qendror, në vend që të mbetej me rol anësor.

Debati nxiti kërkime empirike krahasuese mbi grupet e presionit, për shembull projektin për organizimin e interesave të biznesit, të bashkërenduar nga Schmitter-i dhe Wolfgang Streeck-u. Mbeti e diskutueshme nëse korporatizmi solli një vlerë teorike shtesë përtej njohurive që ofronte pluralizmi.

Select the fields to be shown. Others will be hidden. Drag and drop to rearrange the order.
  • Image
  • SKU
  • Rating
  • Price
  • Stock
  • Availability
  • Add to cart
  • Description
  • Content
  • Weight
  • Dimensions
  • Additional information
Click outside to hide the comparison bar
Compare